
Një konflikt mes të rinjve ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Vlorës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Ismail Qemali”, ndërsa shtetasi E. K., është qëlluar me thikë.
19-vjeçari është dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po i nënshtrohet kujdesit mjekësor.
Në vendngjarje kanë shkuar efektivët e policisë, të cilët kanë nisur hetimin për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Më datë 23.08.2022, rreth orës 19:40, në bulevardin “Ismail Qemali”, Vlorë, dyshohet se pas një konflikti të çastit, është dëmtuar me mjet prerës thikë, shtetasi E. K, 19 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikim dhe kapjen e autorit si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.



