
Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas debatit mediatik të ditëve të fundit për vënien në përgjim nga SPAk, të një gjyqtari kushtetues.
Në deklararatë thuhet se GJK “e konsideron me rëndësi që të sqarojë opinionin publik se në ushtrimin e misionit kushtetues për garantimin e epërsisë së Kushtetutës, ajo udhëhiqet nga parimet e kolegjialitetit, pavarësisë dhe paanësisë, të sanksionuara në ligjin themelor”.
Gjykata vlerëson të theksojë se “procesi vendimmarrës në ushtrimin e funksionit për dhënien e drejtësisë kushtetuese bazohet në parimet dhe procedurat e parashikuara nga korniza kushtetuese dhe ligjore, duke qenë çdo vendimmarrje rezultat i një procesi diskutimesh të mendimeve dhe qëndrimeve të secilit gjyqtar kushtetues, sipas bindjes së tij të brendshme, për të cilat gëzon imunitet të garantuar nga Kushtetuta në ushtrim të funksionit të tij”.
“Gjykata, duke pranuar rëndësinë që ka në një shtet të së drejtës ushtrimi i kompetencave të çdo organi publik në respektim të kornizës kushtetuese dhe asaj ligjore, dëshiron të theksojë se ajo, sikundër ka vepruar deri më tani, do të vijojë të ushtrojë kompetencat e saj me korrektësi, integritet dhe e pavarur ndaj çdo ndikimi apo presioni të jashtëm”, thuhet në deklaratë.



