Vijon operacioni i koduar “The Wanted” nga Policia e Shtetit, për lokalizimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i bashkëpunimit mes specialistëve të Interpol Tirana dhe homologëve të tyre në Belgjikë, gjatë fazës së radhës të operacionit ndërkombëtar u finalizua procedura për ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetasit Mario Çela, 37 vjeç, i lindur në Elbasan.
37-vjeçari, vëllai i Suel Çelës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim të datës 22.11.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Organizata kriminale”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”.
Autoritetet shqiptare bëjnë me dije se operacioni “The Wanted” do të vijojë, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen dhe ekstradimin e personave të tjerë të shpallur në kërkim.



