Policia e Tiranës ka ndërmarrë një operacion ku është zbuluar një rrjet trafiku armësh.
Gjatë operacionit ‘Transportuesi 2’, në vendparkimin e një terminali autobusësh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: Blerim Krasniqi, 28 vjeç, Benjami Shala, 20 vjeç, Edonis Thaçi, 25 vjeç, dhe Muhamed Krasniqi, 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.

Shtetasi Blerim Krasniqi dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin Edonis Thaçi, një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak.
Më pas, shtetasi Blerim Krasniqi, në bashkëpunim me shtetasin Muhamed Krasniqi, kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itinerarit.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro.
Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi Edonis Thaçi, së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.



