
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë prokuroren në Prokurorinë e Apelit Korçë, Irma Balli.
KPK njoftoi se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 16.1.2023, për subjektin e rivlerësimit, Irma Balli bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi: Konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Irma Balli, prokurore/drejtuese në Prokurorinë e Apelit Korçë.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, Olsi Komici relator, Suela Zhegu anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Balli, u përball për të dytën herë të premten më 20 janar me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku dha shpjegime për gjetjet e hetimit administrativ në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.
KPA prishi 15 qershor 2021 vendimin e Komisionit të Pavarur të kualifikimit, për shkarkimin e Ballit për probleme në kriterin pasuror.
Irma Balli e ka nisur karrierën si prokurore në shkurt të vitit 1999. Ajo ka punuar si prokurore e Apelit të Korçës për gati 20 vjet dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin e drejtueses së kësaj prokurorie. Balli ka qenë gjithashtu anëtare e Këshillit të Prokurorisë.



