Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka konfirmuar në detyrë Artan Shkëmbin, i cili mban detyrën si drejtor i Drejtorisë Qendrore, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Sipas KJV, Shkëmbi rezultoi i pastër në të tria shtyllat e vlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.
Në seancën e parë dëgjimore, e cila u zhvillua më 7 shkurt, Artan Shkëmbi paraqiti prova të reja sa i takon disa problemeve të evidentuara nga KJV në dy prej shtyllave të vlerësimit, atë të pasurisë por edhe të pastërtisë së figurës.
Artan Shkëmbi është kreu i task forcës “Forca e Ligjit”, ndërsa më herët ishte dhe pjesë e garës për kreun e BKH.
Pak ditë më parë, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë Nikollë Ricën, Drejtor i Burimeve Njerëzore, në Departamentin e Shërbimeve Mbështetëse në Policinë e Shtetit, Bujar Ahmetin, drejtori i Drejtorinë së Forcës së Posaçme Operacionale dhe Fatos Ballën, specialist në Sektorin e Hetimit në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.



