3 persona janë arrestuar në Mirditë ndërsa 23 të tjerë janë vënë nën hetim nga policia pas operacionit policor të koduar “Poker” për shkak se akuzohen për lojëra fati.
Pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi N. P. ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në ambientin e lokalit të tij, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në ambientet e këtij lokali.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar kanë vënë në pranga shtetasit: Nikolin Prenga, 46 vjeç, pronari i lokalit dhe Mario Tusha, 21 vjeç, punonjës në lokal, banues në Mirditë, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara", "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara" dhe "Përshtatja e lokalit për përdorim drogë";
Xhesjan Senaj, 21 vjeç (klient në lokal), për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe “Nxitja për përdorimin e drogës". Këtij shtetasi, nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet një sasi e dyshuar cannabis sativa.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 23 shtetas të tjerë, klientë në lokal, për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara".
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndë narkotike e dyshuar cannabis, një tavolinë pokeri, çipsa, dy kompjuterë dhe dy aparate celular.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.



