
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka njoftuar sot se në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri.
Por, ai njoftoi për një vatër zjarri në zonën pyjore, në malin e Tërbunit në Pukë.
“Në Tërbun janë angazhuar forcat e shërbimit pyjor, të zjarrfikëses dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Po ashtu dhe banorë të zonës për të vënë situatën nën kontroll”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër ai njoftoi “përfundimin e luftës me Karaburunin”.
“Në të gjithë vendin kanë mbetur pak vatra zjarri ende të pashuara, ndërsa tashmë është fituar beteja në Karaburun e Dukat”.
Ndërkohë për sa u përket zonave veriore, aty ku zjarri ishte problematik, janë shuar të gjitha vatrat.
Përkatësisht vatrat që ishin në fshatrat Thirrë, Munellë e Domgjon në Bashkinë Mirditë janë shuar.
Nga ana tjetër, për sa u përket vatrave aktive mbetet ajo në fshatin Patalej në Bashkinë Lezhë.
“Në Patalej është angazhuar një mjet helikopter për shuarjen e flakëve nga ajri. Situata është nën kontroll”, bëri me dije Peleshi.
Për sa i përket Qarkut të Kukësit, që ishte dhe një nga më të prekurit nga zjarri, vijon të jetë aktive vatra në Majën e Runës.
“Në Majën e Runës situata është nën kontroll. Po punohet për shuarjen përfundimtare edhe të disa vatrave të vogla”.



