
Gjykata Administrative e Tiranës ka rrëzuar padinë e ngritur nga kompania zhvilluese e HEC-it të Kalivaçit kundër Deklaratës Mjedisore negative të lëshuar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, duke e quajtur atë si “thelbësisht të pabazuar”.
Në shtator 2020 Ministria e Turizmit dhe Mjedisit lëshoi Deklaratën Mjedisore Negative, duke mos i dhënë dritën jeshile kompanisë për vazhdimin e procedurave për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit.
Sipas saj, procedurat për ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit duhet të ndërpriteshin.
Ndërsa në shkurt 2021, Kompania turke ngriti padinë në Gjykatën Administrative për të kundërshtuar këtë vendim, por ajo u rrëzua sot nga gjykata.
Për të rezultuar në këtë vendim, pala mbrojtëse u bazua në një raport të kryer nga shkencëtarë shqiptarë dhe të huaj mbi vlerësimin mjedisor të lumit Vjosë. Raporti i vlerësimit mjedisor i kompanisë turke, ishte kritikuar nga ekspertët.
Banorët e zonës kanë qenë gjithashtu të përfshirë në këtë çështje, sikurse edhe organizata shqiptare dhe ndërkombëtare. Veçanërisht në muajt e fundit, një fushatë e madhe për prezervimin e lumit Vjosë mori udhë.
Shqetësimet mbi prekjen e biodiversitetit të lumit ishin ndër argumentet kryesore të tyre.
Tashmë Gjykata i dha të drejtë kësaj qasjeje.



