Një 35-vjeçar ka mbetur i plagosur me thikë pas një konflikti të ndodhur në një lavazh në lagjen “15 Tetori” në Fier.
I plagosuri është identifikuar si Eldi Gremi, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit rreth orës 11:40 të së dielës. Sipas bluzave të bardha, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave nga policia, 35-vjeçari dyshohet se është goditur me thikë nga një person ende i paidentifikuar, pas një konflikti që ka përshkallëzuar në dhunë fizike.
Burime policore bëjnë me dije se i plagosuri është pronar i një subjekti në zonë, ndërsa dyshohet se autori mund të jetë personi që kishte marrë me qira biznesin e tij. Konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të mosmarrëveshjeve për pagesën e qirasë.
Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë ende të qarta, pasi i plagosuri nuk ka dhënë detaje të plota mbi konfliktin apo identitetin e autorit. Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i incidentit, ndërsa policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e tij.



