Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka paditur në Gjykatë Partinë Demokratike, pas akuzave të kësaj të fundit për përdorimin e mjeteve të Forcave Ajrore në fushatë. Lajmin e ka bërë me dija zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila i konsideron shpifje akuzat e selisë blu dhe të përfaqësuesve të saj.
“Ministri i Mbrojtjes padit për shpifje PD dhe përfaqësues të saj pas akuzave për përdorim të mjeteve të Forcës Ajrore në fushatë zgjedhore”, thuhet në njoftim.
Partia Demokratike akuzon prej kohësh ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka se ka shpërdoruar detyrën duke e përdorur helikopterin e forcave Ajrore për të shkuar në takimet me strukturat e PS-së në Dibër. Pretendimet e PD-së u hodhën poshtë nga Ministria. Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë, udhëtimet e ministres janë bërë vetëm në bazat ushtarake në vend, një prej të cilave është në Dibër.
PD ka publikuar më herët edhe datat e fluturimeve nga Tirana drejt Dibrës, duke thënë se i kanë kushtuar buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milionë lekë.



