Del nga qelia njëri nga dy vëllezërit e akuzuar për naftë kontrabandë, ndërsa tjetri do të qëndrojë për tre javë në burg.
Kjo pasi 20 ditë burg u caktua si masë sigurie për Shpëtim Canin dhe “Detyrim paraqitje” për Roland Canin. Ky është vendimi që mori këtë të shtunë Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, për dy të akuzuarit, për kontrabandë të naftës, e gjetur dhe sekuestruar në një peshkarexhë në Durrës, tri ditë më parë.
Peshkarexha vinte nga vendet e Lindjes, ndërsa nafta ishte planifikuar për t’u hedhur në tregun e brendshëm.
Lidhur me operacionin e koduar “Diesel 2” të zhvilluar më 7 shtator, në kuadër të të cilit u vunë në pranga vëllezërit Shpëtim Cani, 43 vjeç dhe Roland Cani, 41 vjeç, banues në Kavajë.
Shërbimet e policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.
Dy vëllezërit akuzohen për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”.



