Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe inertesh në segmentin rrugor Gramsh–Korçë, duke e bërë të pamundur përkohësisht qarkullimin e automjeteve.
Një nga zonat më të goditura është fshati Bratilë, ku në njërin krah të rrugës ka pasur rrëshqitje të konsiderueshme dherash dhe rënie gurësh.
Për pasojë, qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm për rreth 6 orë, ndërsa mjetet kanë lëvizur me shumë vështirësi.
Mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme me fadroma apo mjete pastruese ka përkeqësuar situatën, duke rritur rrezikun për përdoruesit e rrugës.
Autoritetet lokale nuk kanë bërë ende një deklaratë zyrtare në lidhje me ndërhyrjet për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e trafikut.



