
Policia Kufitare e Morinës godet një rast i tentativës për të korruptuar punonjësit e policisë.
Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, përmes kontrolleve me përzgjedhje, në hyrje të Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motorin me drejtues shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë.
Në vijim të kontrollit, i është kërkuar 21-vjeçarit që të paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit.
I riu, për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro.
Nga verifikimi rezultoi se kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, të ndryshëm nga motomjeti që ai drejtonte.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin B. Th., 21 vjeç, banues në Prizren, Kosovë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Ndërsa motori u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, materialet i kaluan Prokurorisë Kukës për veprime të mëtejshme.



