
Zjarri që shpërtheu orë më parë në Qeparo dhe përfshiu një sipërfaqe pyjore, është shuar plotësisht.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se flakët morën përmasa të mëdha për shkak të terrenit të vështirë dhe erës së fortë, duke rrezikuar banesat dhe një fabrikë vaji. Ndërhyrja e shpejtë nga toka dhe ajri mundësoi neutralizimin e zjarrit dhe shmangien e pasojave të rënda.
Në operacion u përfshi helikopteri Black Haëk i Forcës Ajrore, i cili luajti një rol kyç në shuarjen e vatrës aktive, ndërkohë që në terren ishin të angazhuar mjetet zjarrfikëse, efektivë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shërbimit Pyjor.
Falë bashkërendimit të shkëlqyer mes strukturave të Mbrojtjes Civile, si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror, u arrit të mbrohej jo vetëm mjedisi, por edhe siguria e banorëve dhe pasurisë së tyre.
AKMC dhe Ministria e Mbrojtjes apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në këto ditë me temperatura të larta dhe erëra të forta.
“Çdo zjarr, sado i vogël të duket, duhet raportuar menjëherë, në mënyrë që të shmangen situata të rrezikshme për jetën, pronën dhe natyrën,” thuhet në njoftim.



