“UNESCO” vendosi që ta regjistrojë muzikën bizantine, në listën e saj të trashëgimisë jo-materiale.
I lindur në ditët e para të krishterimit, arti i Liturgjisë së Lindjes, një zhanër muzikor i transmetuar nga Kisha Ortodokse, ia ka dalë të mbijetojë deri në ditët e sotme.
Sipas gazetës franceze “Le Figaro” muzika bizantine, ose arti i Psaltjes, i ka rrënjët e saj në traditat muzikore të Ballkanit dhe të Mesdheut Lindor, ku Perandoria Bizantine ka sunduar për shekuj me radhë.
Një art ekskluzivisht fonetik dhe monofonik që shoqëron tekstet liturgjike të Kishës Ortodokse, interpretuesit e të cilit kodifikohen në tetë lloje ose tone.
Sipas “Unesco”-s, ishte arti i Psaltjes ai që ia rriti edhe më vlerën e teksteve të Librit të Shenjtë, Biblës. Koret bizantine u zhvilluan kryesisht në shekullin III pas Krishtit shumë kohë para se të arrinin kulmin e tyre në periudhën midis shekujve XIII-XV pas Krishtit.
Falë përcjelljes me gojë të këngëve dhe përdorimit të tyre nga Kisha Ortodokse, muzika bizantine i rezistoi rënies së Kostandinopojës nga Turqit Otomanë në 1453 dhe pati një ndikim të madh në muzikën popullore të Lindjes.
Sipas disa ekspertëve në të shfaqen elemente të muzikës antike greke. të cilat vlerësohen si një hallkë lidhëse me antikitetin.
Muzika bizantine është shkruar kryesisht në greqisht, e cila është gjuha e Liturgjisë Hyjnore Ortodokse, por është përkthyer edhe në gjuhë të tjera si: sirianisht, arabisht, armenisht e gjeorgjisht.
Edhe pse koret bizantine kanë qenë gjithmonë të lidhur me zërin mashkullor, në ditët e sotme arti i të kënduarit bizantin praktikohet edhe nga gratë, si në koret femërore, ashtu edhe në manastire. /CNN Greece/



