Dy shtetas polakë u arrestuan nga policia e Sarandës, teksa u kapën duke shitur drogë sintetike metamfetaminë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, pasi kanë siguruar informacion se dy shtetas posedonin lëndë narkotike me qëllim shitjen, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 34”, si rezultat i të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit polakë G. O., 38 vjeç dhe S. P., 47 vjeç.
Gjatë kontrollit në ambientet e një hoteli ne Sarandë, me administrator shtetasin G. O. konkretisht në dhomën ku qëndronte vetë shtetasi G. O së bashku me shtetasin S. P., shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde narkotike të dyshuar metamfetaminë në formën e kristaleve, të cilat dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i posedonin me qëllim shitjen, kryeshisht në lokalet e natës, në qytetin e Sarandës.
Së bashku me lëndën narkotike, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 aparate celulare, 4 fishekë dhe 4 targa të huaja automjetesh.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.



