
Një operacion i policisë së Elbasanit i koduar “Osumi” ka goditur një rast në fushën e shpërndarjes së drogave të forta, duke vënë në pranga tre persona.
Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se tre të rinj ushtronin këtë aktivitet kriminal në qytetin e Beratit, u bë finalizimi i operacionit.
Në kuadër të operacionit u kapën dhe u vunë në pranga për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, Asjan Topi, 26 vjeç, Ergus Etemaj, 31 vjeç dhe Eldison Mata, 30 vjeç, të tre banues në lagjen “30 Vjetori”, Berat.
Tre të dyshuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha dhe vende të ndryshme në qarkun e Beratit, kanë ushtruar veprimtarinë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira nga Eldison Mata, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi heroine në doza dhe një sasi metadoni.
Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.



