Një person është vënë në prangat e policisë së Shkodrës i kapur me kokainë, armë me silenciator dhe kapsolla detonatore.
Nga hetimet e kryera rreth veprimtarive kriminale të një personi, banues në fshatin Kryebushat, u kurorëzua operacioni i koduar “Precedenti”, gjatë të cilit u arrestua në flagrancë, në fshatin Kryebushat, shtetasi Gj. M., 42 vjeç.
Nga kontrolli në automjet, iu gjet një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza, ndërsa nga kontrolli në banesë iu gjetën 110 kapsolla detonatore, dy armë zjarri pistoleta, një silenciator dhe municion luftarak.
Lënda narkotike dhe armët e gjetura u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe celularin e të arrestuarit.



