
Një vajzë e re ka rënë në prangat e policisë pasi shiste drogë në disa zona mjaft të frekuentuara në Tiranë, kryesisht në lokale me muzikë.
Si rezultat i operacionit të koduar “Kimistja 2” në pranga përfundoi 24-vjeçarja Dea Zenjo, banuese në Tiranë, poseduesja, njëkohësisht dhe shpërndarësja e lëndës narkotike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dispononin informacion se e reja iu shiste drogë sintetike të llojeve të ndryshme në qytetin e Tiranës, kryesisht në lokalet me muzikë në zonën e Porcelanit, Pazarit të Ri dhe Bllokut, personave të ndryshëm, kundrejt çmimeve që varionin nga 1.000 lekë të rinj deri në 10.000 lekë të rinj për një dozë (kokërr).
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesë, 24-vjeçares iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me lëndë të dyshuar heroinë, ekstazi, metadon dhe një aparat celular.
Gjithashtu, kësaj shtetaseje i është sekuestruar edhe një lloj droge në formë të lëngët, të cilën e shpërndante me shiringë, që zakonisht përdoret nga moshat e reja duke e tretur në pije.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.



