Policia e Tiranës ka arrestuar tre persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Sipas policisë, së fundmi janë zbardhur dhe dokumentuar 22 raste të vjedhjeve të ndryshme, ndërsa për këtë janë proceduar penalisht 3 të mitur dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit e mitur me iniciale F. M., 14 vjeç, E. K., 13 vjeç, E. P., 17 vjeç, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin K. S., pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar janë autorë të 22 rasteve të ndryshme të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje në qarkun e Tiranës”, njoftoi policia.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit 2020 dhe javëve të para të këtij viti, kanë vjedhur biçikletat e 5 shtetasve, produkte të ndryshme dhe shuma parash në markete dhe ambiente të tjera në qytetin e Tiranës.
Më tej, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. Z., 34 vjeç, pasi në Rrugën e Kosovarëve, gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi me lëndë narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale .
Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor janë arrestuar në flagrancë shtetasit: K. S., 22 vjeç, pasi në aksin rrugorë Tiranë–Durrës u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; D. P.(Gj)., 31 vjeç, pasi në rrugën dytësore Vorë, u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.63 mg/l. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprimet e mëtejshme.



