
Tre shqiptarë janë arrestuar në Itali me akuzën e vjedhjes. Mes tyre është Klisman Nikolli, 27 vjeç, i cili ka deklaruar para autoriteteve se është polic. Sipas mediave lokale të Venetto-s, dy të tjerët janë Viktor Bilani, 30 vjeç, e Flor Koca, 35 vjeç. Ata akuzohen se kanë kryer disa vjedhje që nisin nga data 30 tetor deri më 15 nëntor në dy rajone të Italisë, Veneto dhe Friuli.
Grupi i shqiptarëve u kap ndërsa ishin bërë gati të ktheheshin për Shqipëri. Ata po prisnin një grua, e cila do t'i merrte dhe do t'i shoqëronte deri në aeroport, por në atë moment ata janë kapur nga autoritetet italiane.
Të tre dyshohen për 18 vjedhje dhe tentativa vjedhjesh në Portogruaro, Concordia Sagittaria, Musile di Piave dhe San Michele al Tagliamento. Vlera e sendeve dhe parave të vjedhura është dhjetëra mijëra euro.
Klisman Nikolli rezulton inspektor policie në Shqipëri. Emri i tij del në një njoftim të policisë mbi një aksident të ndodhur në Lezhë në vitin 2020.
“Më datë 04.06.2020, ora 17.10, në aksin rrugor dytësor Lezhë – Zejmen, në fshatin Spiten, Lezhë gjatë ndjekjes së “automjetit me targa AA262UJ, në të cilin dyshohej se udhëtonte një person i armatosur, ka dalë nga rruga automjeti i autopatrullës “Shqiponja”, Hunday, me targa AA911VE, me drejtues punonjësin e policisë Inspektor Klisman Nikolli.
Nuk ka persona të dëmtuar ka vetëm dëme materiale. Si drejtues i mjetit me targa AA262UJ është identifikuar shtetasi Lekë Përjaku banues në Spiten. Po punohet për kapjen e tij. Në vendngjarje janë shërbimet e policisë po kryejnë veprimet proceduriale.



