
Një sasi e konsiderueshme kokainë është kapur në Portin e Pireut në Greqi. Mediat greke raportojnë se lënda narkotike është zbuluar nga inspektorët e doganës, të cilët kanë përdorur programin special të analizës së rrezikut dhe softuerin e zbulimit të ngarkesave të dyshimta. Ata identifikuan një kontejnier që vinte nga Ekuadori, me një ngarkesë të deklaruar “banane”.
Në makinerinë ftohëse, mjeti vetëlëvizës me rreze “X” ka gjetur një lëndë organike të dyshimtë. Pas kontrollevë të kryera, u konstatua se aty ndodheshin 40 pako kokainë, me peshë totale 46 kilogramë.
Kontejneri vinte nga porti i Guayaquil, në Ekuador dhe kishte Selanikun si destinacion përfundimtar. Vlera e sasisë së kokainës llogaritet në 1.92 milionë euro. Droga u sekuestrua dhe i kaloi Autoritetit Portual të Pireut, i cili po kryen hetimet paraprake.



