Policia e Lushnjës ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht 4 të tjerë pasi u kapën në flagrancë duke vënë baste sportive me celularë.
Në prangat e policisë ka rënë E. G., 22 vjeç, ndërsa bëhet me dije se janë referuar materialet në polici për G. C., 46 vjeç, A. Xh., 44 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç, dhe për një 16-vjeçar.
Njoftimi: Lushnjë/Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, goditen 2 raste të tjera të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Vinin baste sportive, me celularë, në 2 lokale në lagjen “Loni Dhamo”, arrestohet një 22-vjeçar dhe procedohen penalisht 4 shtetas.
Sekuestrohen celularët.
Si rezultat i kontrolleve në lokale ku dyshohet se organizohen dhe luhen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko- Financiare të DVP Fier goditën 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie. Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për këto raste u arrestua në flagrancë shtetasi E. G., 22 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit G. C., 46 vjeç, A. Xh., 44 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç, dhe për një 16-vjeçar.
Këta shtetas u kapën në flagrancë, në 2 lokale në lagjen “Loni Dhamo” (njëri prej tyre në pronësi të 46-vjeçarit), teksa vinin baste sportive, me celularët e tyre që u sekuestruan si provë materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”.



