
Gjykata e Kurbinit ka dhënë masat e sigurisë “arrest me burg” për 7 personat e arrestuar të enjten në kuadër të operacionit "Bushneshi", pasi kishin kthyer bodrumin e një banese në "shtëpi bari" për kultivim të bimëve narkotike.
Pas provave të paraqitura nga prokuroria, gjykata e cilësoi të ligjshëm ndalimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë "arrest në burg" për shtetasit Taulant Baroka dhe Gimi Hida për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" "prodhimi dhe shitja e narkotikeve" si dhe "vjedhja e energjisë ose impulseve telefonik".
Ndërsa për Lek Allamanin dhe 4 punonjësit e OSHEE Xhemal Danieli, Xhevalin Kaca, Bib Gjergji dhe Alfred Fufi u vendos masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" në policinë gjyqësore.
Kujtojmë se gjatë kontrollit të policisë në ambientet e bodrumit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan 506 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo dhe 58 kilogramë e dyshuar lëndë narkotike cannabis sativa.
Në këtë ndërtesë u konstatua një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, e cila shërbente për furnizimin me energji të pajisjeve si llamba, aspirator, filtra ajrimi etj, që ndihmonin në kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan të gjitha pajisjet që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, si: pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për bimët narkotike etj.



