
Tentuan të vidhnin pajisje elektronike, gjatë natës, pasi thyen derën e një shkolle 9-vjeçare, në qytetin e Kukësit, nga ndërhyrja e policisë, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas. Falë informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një tentativë vjedhjeje në një shkollë 9-vjeçare, në qytetin e Kukësit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Door”, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit A. I., 20 vjeç, M. B., 18 vjeç, si dhe një 17-vjeçar, të tre banues në Kukës. Këta shtetas u kapën në flagrancë, pasi kishin thyer gjatë natës, derën e një shkolle 9-vjeçare, në Kukës, me qëllim vjedhjen e disa pajisjeve elektronike. Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë, në vendngjarje, këta shtetas nuk kanë mundur ta kryejnë vjedhjen. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.



