
Presidenti Ilir Meta rinovoi sot kartën e tij të identitetit, pasi kishte skaduar. Kreu i shtetit ndau disa foto në “Facebook” dhe u bëri thirrje qytetarëve që të verifikojnë afatin e vlefshmërisë për kartat e tyre.
“U paraqita sot pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë Administrative nr.13 në Tiranë, për t’u pajisur me kartën e re biometrike të identitetit ID. Kur na ndajnë edhe 86 ditë nga zgjedhjet e shumëpritura të 25 prillit 2021, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të verifikojnë afatin e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit. Rinovimi i tyre është i domosdoshëm! Mospasja e një karte ID ose pasaporte të vlefshme është pengesë serioze për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës. Mos neglizhoni dhe mos e lini aplikimin për në çastin e fundit!”.
Po ashtu, ai kërkoi nga qytetarët që të bëjnë një verifikim edhe për emrin në listat e zgjedhësve. Sipas presidentit, kjo gjë nuk duhet lënë pas dore sepse është me rëndësi pjesëmarrja e çdo qytetari në zgjedhje, për të ardhmen evropiane të vendit.
“Ju ftoj të verifikoni sa më parë emrin në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës tuaj të votimit dhe në rast se vini re parregullsi tek të dhënat, paraqituni menjëherë pranë zyrës së gjendjes civile në njësinë tuaj administrative. Është thelbësore, që të gjithë qytetarët me të drejtë vote, të kenë mundësi të marrin pjesë në referendumin historik të 25 prillit. Të votosh është e drejtë, por edhe një përgjegjësi e lartë qytetare. Çdo neglizhencë në këtë drejtim penalizon të adhmen europiane të vendit. ”




