Një 50-vjeçar është vrarë me armë zjarri ditën e sotme në Dibër, pas një sherri ku u përfshi me dy vëllezër. Viktima është identifikuar si Xhetan Konesha, ndërsa policia bën me dije se në pranga ka rënë një prej autorëve, Muhamet Mera dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij, Altin Mera.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, pas marrjes së informacionit se në fshatin Luzni, Dibër, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dy vëllezër kishin plagosur me armë zjarri fqinjin e tyre, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë dhe profesional kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e njërit prej autorëve, shtetasin Muhamet Mera, 30 vjeç, banues në fshatin Luzni, Dibër.
Ndërkohë vijon ndjekja dhe krehja e zonës për kapjen e bashkautorit tjetër të ngjarjes, shtetasit Altin Mera, 42 vjeç, i cili pas ngjarjes është larguar në pyll.
Dy vëllezërit, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xhetan Konesha, 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se dy vëllezërit kanë plagosur 50-vjeçarin.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.



