Një person është vënë në prangat e policisë së Durrësit, i kapur me 116 mijë euro të padeklaruara në makinë, të cilat dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundraligjshme.
Në vijim të kontrolleve të kryera në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas posedonte një shumë të madhe parash, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në automjetin e tij.
Në lagjen nr. 17, Durrës, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin Denis Trebeshina, shërbimet e Policisë gjetën 116 685 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve për këtë rast u arrestua shtetasi Denis Trebeshina, 30 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Durrës.
Vijojnë veprimet hetimore për të vërtetuar burimin e të ardhurave të këtij shtetasi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Durrës, për veprime të mëtejshme.



