
Një person i dënuar me mbi 3 vjet burgim, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, është vënë në prangat e policisë së Fierit.
Komisariati i Policisë Fier, në zbatim të planit të masave të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim Elmir Dashi, 40 vjeç, banues në Fier.
Në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, u bë ndalimi i këtij shtetasi, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 3 vjet, 5 muaj e 1 ditë burgim, për veprën penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Ky shtetas, në periudhën 2012-2013, kur ka qenë i punësuar në zyrat e kompanisë për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve të identifikimit, ka falsifikuar dokumentet e identifikimit të disa shtetasve me precedentë penale, kundrejt përfitimit.




