Shumë qytetar të fshatrave të Deçanit në Kosovë që nga mbrëmja e së shtunës por edhe gjatë ditës së djeshme, kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF, mbi dyshimet se janë helmuar nga uji i pijes.
Bëhet fjalë për mbi 160 persona nga disa fshatra të këtij rajoni, të cilët furnizohen me ujë të pijshëm nga Kompania Rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”.
Pacientët e drejtuar në Ambulancën e qytetit, kanë shfaqur simptoma të njejta, si marramendje, plogështi, të vjella, barkqitje, dhimbje në regjionin e barkut dhe temperaturë.
KRU “Hidrodrini” njësia operative e ujësjellësit në Deçan me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se janë marrë mostrat e ujit dhe janë nënshtruar analizës laboratorike përkitazi me këto dyshime për helmim.
“Pas shqetësimeve të shfaqura nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, mbi dyshime për helmim shëndetësorë Ekipet e përbashkëta të KRU ‘Hidrodrini’-Njësia Deçan së bashku me staf të specializuar nga IKSHPK, respektivisht IRSHP-Pejë, gjatë tërë ditës së djeshme e deri mbrëmë vonë kanë marrë mostrat e ujit në fshatrat e sipërshënuar dhe të njëjtat i janë nënshtruar analizës laboratorike. Rezultatet janë në pritje dhe përpunim dhe të njëjtat do të barten zyrtarisht tek KRU ‘Hidrodrini’ për tu publikuar për opinion”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, KRU ‘’Hidrodrini’’ ka marrë të gjitha masat urgjente për të hulumtuar shkaqet e mundshme, megjithatë deri tani nuk ka asgjë të vërtetuar.
“Hidrodrini” apelon që deri në kthimin e analizës të mos konsumohet uji i pijshëm.



