
Policia e Shtetit ka rishpërndarë në rrjete sociale foton e Talo Çelës, si dhe njoftimin për dhënien informacion për të, ku rikujton se janë vënë në dispozicion 10 mijë euro për këdo që jep informacion për kapjen e të shumëkërkuarit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë të shpallur në kërkim, Policia e Shtetit, duke vlerësuar si mjaft të rëndësishëm dhe rezultativ bashkëpunimin me qytetarët, kërkon sërish bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për të lokalizuar vendndodhjen e një personi shumë të kërkuar, shtetasit Talo Çela, 49 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan.Për këdo që do të japë informacion të vlefshëm që do çojë në lokalizimin dhe kapjen e këtij personi, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion shumën 10 mijë euro.Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, pasi Gjykata për Krimet e Renda Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e punonjësit të policisë” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”.Ky shtetas është autori i dyshuar i ngjarjes së datës 09.04.2019, ndodhur në pistën eaeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas, Tiranë, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme vlerash monetare të cilat po ngarkoheshin në avion dhe më pas gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, mbeti i vrarë njëri prej autorëve kryesorë të kësaj ngjarjeje.
Gjithashtu ky shtetas është i dyshuar si autor i ngjarjes së datës 27.04.2020, në lagjen 14/1 Durrës, në vendin e quajtur “Tregu i makinave”, Shënvlash, Durrës, ku u vranë me armë zjarri 2 vëllezërit Haxhia.Për çdo informacion që i shërben kapjes së këtij personi, qytetarët të telefonojnë në numrin e celularit 069 41 06 823, si dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Dixhital, duke iu garantuar anonimat të sigurt.



