
Është përmbyllur procesi i gërmimeve vlerësuese dhe zhvarrosjes së mbetjeve mortore të viktimave të luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, në Kizhevak të Serbisë.
Në bazë të ekzaminimit antropologjik është konstatuar se numri minimal i individëve të zhvarrosur është nëntë.
“Numri minimal i trupave të zhvarrosur është nëntë, prej të cilëve dy janë të identifikuar, përmes metodës së ADN-së, në fazën e parë të procesit të zhvarrimit”, thuhet në komunikatën për media nga zyra për komunikim e Kryeministrit.
Procesi i gërmimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore në këtë lokacion është realizuar në dy faza, nga data 30 nëntor e vitit 2020 e deri më nëntë dhjetor të po të njëjtin vit si dhe në fazën e dytë nga 5 maji i 2021 deri më 26 maj 2021.
“Nga data pesë maj, kur kanë rifilluar gërmimet në këtë lokacion është bërë vlerësimi i plotë i tërë lokacionit të shënjuar të varrezës masive dhe është bërë zhvarrosja e të gjithë eshtrave të viktimave të luftës që kanë qenë në këtë lokacion”, thuhet në njoftim.
Pjesë e gërmimeve ishin ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës, në emër të Delegacionit të Kosovës në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur, krahas ekspertëve të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ekspertëve të EULEX-it , Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, si dhe institucioneve të Serbisë.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999 rezultuan rreth 6 mijë e 500 persona të zhdukur.
Në varrezat masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tani janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve shqiptarë.



