Policia Kufitare e Vlorës ka ndërhyrë për të ndihmuar tetë shtetas që kishin mbetur të bllokuar në det për shkak të problemeve me mjetet e tyre lundruese, në dy incidente të ndara në zonat e Vlorës dhe Dhërmiut.
Pas marrjes së një njoftimi nga SPK Triport, se një gomone me katër shtetas në bord kishte pësuar defekt rreth 1 milje larg zonës së Shën Janit, menjëherë u organizua puna për t’i ardhur në ndihmë.
Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Triport u nis drejt vendit të raportuar dhe shpëtoi gomonen, duke e shoqëruar deri në stacion, së bashku me 4 shtetasit, të cilët ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Pas një njoftimi të dytë nga SPK Dhërmi, që informonte për 4 shtetas të bllokuar në det me kanoe pranë plazhit të Porto Palermos, Policia Kufitare e SPK Dhërmi organizoi menjëherë operacionin për t’u ardhur në ndihmë. Mjeti lundrues i Policisë Kufitare të SPK Dhërmi u nis drejt vendit të raportuar dhe shoqëroi shtetasit deri në breg, gjithashtu në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia Kufitare vazhdon të mbetet në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë në hapësirat detare, duke reaguar me profesionalizëm në çdo situatë emergjente.



