Një person i dënuar në Itali, me rreth 10 vjet burgim për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, është arrestuar në Berat me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në bashkëpunim me ato të DVP Berat, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 2”.
Gjatë operacionit, në Berat, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Hari Basko alias Hari Bello, 52 vjeç.
Gjykata e Venecias e ka dënuar këtë shtetas, me 9 vjet, 3 muaj dhe 27 ditë burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Italisë.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.



