
Tre persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë pasi shitën në Instagram bileta për ndeshjen “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga FShF-ja.
“Si rezultat i sigurimit të informacionit se në një llogari në rrjetin social “Instagram”, shiteshin bileta për ndeshjen e futbollit “Shqipëri–Serbi”, me çmim disa herë më të lartë se ai i përcaktuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin “Attention”. Në kuadër të operacionit, u identifikuan autorët e dyshuar të rastit, shtetasit L. M., 34 vjeç, A. T., 23 vjeç dhe I. L., 24 vjeç, të cilët u vunë në pranga, si dhe shtetasi E. Sh., 25 vjeç dhe një 16-vjeçar, për të cilët filloi procedimi në gjendje të lirë”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Manipulimi i tregut” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Në një raportim për MCN Live në lidhje me rastin gazetari Arsen Rusta bën me dije:
"Krimi Ekonomik ka nisur monitorimin e rrjeteve sociale dhe ambienteve rrotull stadiumit ku ekziston tregu i zi. Manipulatorët janë aktivë, ka prej atyre që i kanë blerë biletat me 30, 50 apo 100 euro, dhe më pas e kanë shitur 200, 300, deri në 1200 euro. Tre persona përballen me akuzën për fshehje të të ardhurave dhe manipulim të tregut."



