
Një 50-vjeçare është grabitur nga dy të rinj në fshatin Bujan të Tropojës. Sipas policisë, gruaja është grabitur nga një vajzë 18 vjeçe dhe një djalë rreth 21 vjeç, të cilët janë identifikuar dhe janë arrestuar nga policia brenda 5 orësh.
“Policia e Tropojës, menjëherë pas marrjes së kallëzimit së shtetases S. B., banuese në fshatin Dojan, e cila ka kallëzuar gjatë rrugës për në banesë, dy persona i kishin vjedhur me dhunë çantën e dorës, brenda së cilës kishte një sasi parash dhe një telefon, organizoi punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bëri të mundur identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve të dyshuar”, njoftoi policia.
Dy të rinjtë dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë çantën e dorës shtetases S. B. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në dhomën e një hoteli në qytetin e Tropojës, ku ishin akomoduar autorët u gjetën dhe sekuestruan sendet e vjedhura: 1 aparat celular dhe një sasi lekësh. Gjithashtu janë gjetur 9 fishekë pistolete, 4 telefona celular dhe maska anticovid që dyshohen se i kanë patur me vete gjatë kryerjes së vjedhjes. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.



