Fier/ Falsifikuan dokumentet për 6 prona, arrestohet ish-drejtori i ASHK dhe përfituesi, 715 mijë euro të sekuestruara

Fier/ Falsifikuan dokumentet për 6 prona, arrestohet ish-drejtori i ASHK dhe përfituesi, 715 mijë euro të sekuestruara

Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, janë arrestuar ish-Drejtori i Kadastrës së Fierit, Ertis Shehu, dhe përfituesi i pronave Ervin Habilaj, pasi dyshohen se kanë tjetërsuar dhe regjistruar në mënyrë të kundërligjshme 71.7 hektarë tokë në zonën e Levanit përmes dokumenteve të falsifikuara. 

 

Gjatë këtij mega-operacioni, organet e drejtësisë kanë sekuestruar një shumë rekord prej 715,976 eurosh në llogarinë bankare të shtetasit Ertis Shehu, si dhe kanë vendosur masën "detyrim paraqitjeje" për ish-hartografin e ASHK-së, Emiljano Ruko. Hetimet për këtë procedim penal, i cili ka nisur në nëntor të vitit 2025, kanë zbuluar se skema ka filluar që nga një vendim i vitit 2008 për njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 hektarë tokë bujqësore. 

 

Shtetasi Ertis Shehu kishte përfituar fillimisht një kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh në vitin 2018, por pavarësisht kësaj, gjatë vitit 2023 ai ka ndjekur procedurat për regjistrimin e gjashtë pasurive të reja në Levan me dokumente të dyshuara si të falsifikuara.

 

Në këtë aktivitet kriminal janë përfshirë zyrtarët e ASHK Fier, të cilët kanë bërë të mundur trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumenteve për regjistrimin e pronave. 

 

Pas regjistrimit në kadastër, këto pasuri janë shitur te të tretët duke gjeneruar shuma të mëdha parash, ndërsa prokuroria po vijon punën për gjurmimin e transaksioneve të tjera, verifikimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë korrupsioni dhe pastrimi parash.

 

Ertis Shehu u prangos dy ditë më parë në lidhje me skemën tjetër të dyshuar të tjetërsimit të pronave në Seman. Për këtë episod, Prokuroria dyshon se biznesmeni Kastriot Hasko përdori dy vendime të falsifikuara të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të regjistruar tokat në bashkëpronësi me katër persona të tjerë dhe më pas për t'ua shitur dy shoqërive. 

 

Krahas Shehut dhe Haskos, janë arrestuar edhe ish-drejtori i Kadastrës Bardhyl Kapaj dhe juristi Piro Çela. Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar 76 pasuri me sipërfaqe totale 1,143 hektarë, si dhe 150 mijë euro.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy