
Biznesmeni italian, Davide Pecorelli është paraqitur këtë të hënë në Prokurorinë e Peruxhias për të dëshmuar rreth inskenimit të zhdukjes së tij në Shqipëri, për t’u shfaqur pak ditë më parë në Itali. Pecorelli u shfaq me një tjetër paraqitje, me flokë të gjata e të lyera biond. Teksa ka dalë nga pambientet e prokurorisë ku dëshmoi për rreth 60 minuta, biznesmeni nuk ka pranuar të tregojë për gazetarët arsyet e inskenimit të vrasjes së tij.
“Unë ia tregova të gjitha prokuror Petracinit që do t’u japë mediave, siç më tha, të dhëna të detajuara. Kam pranuar që kam kryer shkelje edhe në Shqipëri. Tani do të shkoj te fëmijët e mi dhe e vetmja gjë e sigurt është se nuk do të bëj më biznesmenin në Itali. Nuk kam pasur asnjë kontakt, me asnjë gjithë kohën”, është shprehur ai.
Por ku qëndroi për 8 muaj me radhë Davide Pecorelli? Sipas mediave italiane, Pecorelli është shprehur se kishte qëndruar i fshehur në Mexhugorie, një qytet në Bosnje. Ish-arbitri i futbollit po hetohet në Itali vetëm për falsifikim të identitetit për shkak të dokumenteve të parregullta që iu gjetën në momentin e ndalimit.
Krahas çështjeve të ngritura nga hetuesit italiane, Pekorelli u ka dhënë përgjigje edhe pyetjeve të autoriteteve shqiptare të dërguara me një letër-porosi nga prokuroria e Pukës. Kjo e fundit po e heton 45-vjeçarin italian për të paktën 4 akuza, mashtrim, shkatërrimi i pronës me zjarr, kalimi i jashtëligjshëm i kufirit si dhe dhunimi i varreve.



