
Në Ministrinë e Brendshme është organizuar sot ceremonia e diplomimit dhe certifikimit të studentëve që përfunduan studimet Bachellor në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, studentëve të ekselencës që përfunduan kursin profesional për policimin, si dhe të kursantëve që përfunduan kolegjin profesional të lartë, Kolegji i Policisë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se në 4 vitet e fundit janë mbi 2500 djem e vajza që janë arsimuar në Akademinë e Policisë dhe janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Ai u shpreh se deri më tani janë goditur 32 grupeve kriminale, prej të cilave 21 me aktivitet në fushën e narkotikëve.
“Gjatë këtij viti policia e shtetit ka qenë e angazhuar maksimalisht në përmbushje të prioriteve kryesore në luftën kundër krimit të organizuar, parandalimit dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, rritjen e parametrave të sigurisë, rritjen e standardeve e kontrollit dhe mbikqyrjes së kufirit si dhe parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar. Vlen për tu përmendur sekuestrimi në total i 72.1 milion eurove pasuri të luajtshme ose jo, llogari bankare dhe të ardhura cash që kanë ardhur nga veprimtari i kriminale i personave dhe grupeve kriminale ose 41.8 milion euro se në 2018. Janë goditur 32 grupe kriminale prej të cilave 21 grupe kriminale me aktivitet në fushën e narkotikëve.Janë zhvilluar 275 operacione policore prej të cilave 62 operacione në bashkëpunim me partnerërt dhe agjencisë ligjzbatuese ndërkombëtare, 175 operacione falë bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve. Janë kapur 1446 persona në kërkim ose 2.6% më shumë se në periudhën janar-shtator 2018”
Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nënvizoi rëndësinë që ka ky brez i ri oficerësh të Policisë të cilët kanë ndjekur kursin e Policisë Kriminale dhe atë për Patrullë të Përgjithshme.
“402 djem e vajza i bashkohen sot radhëve të Policisë së Shtetit duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm ripërtëritje dhe modernizimi të saj. Krahas atyre që përfunduan kolegjin e Policisë për t’u bërë pjesë e bazës solide të saj, 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese si nënkomisarë policie, ndërkohë që 36 studentë që i kanë përfunduar më parë me rezultate të larta studimet universitare, përfundojnë sot kursin e oficerit të Policisë Kriminale dhe i bashkohen strukturave të specializuara të hetimit. Kjo prurje e konsiderueshme cilësore, e përzgjedhur ndër mijëra kandidatë, shënon një hap tjetër të rëndësishëm në kuadër të një programi të madh të qeverisë shqiptare për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore nivelin profesional të Policisë së Shtetit”, u shpreh ndër të tjera Lleshaj.
Nga ana tjetër, ai shtoi se së shpejti do të hapen programe të reja për 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë.
Ndër programet ambicioze në proces ministri përmendi kampusin e ri të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, komisariatet e reja të Policisë, Policinë Shkencore, fuqizimin dhe modernizimin e flotës së automjeteve, pajisjet individuale dhe kolektive të Policisë, modernizimin e Policisë Kriminale, asaj Kufitare etj.



