Një beach bar është shembur mëngjesin e kësaj të premteje në zonën e Jalës, në Vuno, nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT).
Sipas informacioneve paraprake, objekti ishte ndërtuar pa leje në vijën bregdetare, çka solli ndërhyrjen e autoriteteve për prishjen e tij.
Aksioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit dhe përfundoi pa asnjë incident.
Burime bëjnë me dije se gjatë ndërhyrjes së IKMT-së nuk pati kundërshtime apo probleme nga pronarët ose persona të tjerë të pranishëm në zonë.
Ndërkohë, IKMT ka bërë të ditur se kontrollet do të vijojnë edhe në objekte të tjera përgjatë vijës bregdetare.
Aktualisht po verifikohen një sërë ndërtesash për të konstatuar nëse janë ndërtuar pa leje ose nëse nuk plotësojnë kriteret ligjore për legalizim.
Autoritetet theksojnë se këto aksione kanë për qëllim zbatimin e ligjit, mbrojtjen e territorit dhe lirimin e hapësirave publike, veçanërisht në zonat bregdetare me rëndësi të veçantë turistike.



