Policia e Shkodrës dyshon se ekzekutimi i 19-vjeçarit Erjon Xhenje me atë të Ismet Çekore, të ndodhura brenda dy javësh nga njëra-tjetra, kanë lidhje. Grupi hetimor ka mundur të identifikojë vrarsësin e 19-vjeçarit, që dyshohet se është djali i Ismet Çekores, Bajram Çekorja. 24-vjeçari e ka kryer vrasjen në një kohë kur ishte në kërkim për një tjetër ngjarje të rëndë, atentatin ndaj shtetasit Alban Bruçit. Edhe pse në kërkim policor, Bajram Çekorja nuk është penguar që të marrë hakun për vrasjen e babait shumë pranë derës së shtëpisë.
Sipas burimeve nga policia, mësohet se shkak është bërë vrasja e të atit të tij shumë pranë shtëpisë. Siç duket, Bajram Çekorja ka mësuar se ka qenë Erjon Xhenje ai që i nxori në pritë babanë ditën që e ekzekutuan.
Nga veprimet e kryera, grupi hetimor ka arritur që të sigurojë provat që vërtetojnë se pas ekzekutimit të 19-vjeçarit qëndron Bajram Çekorja. Ndaj 24-vjeçarit rëndojnë 2 akuza, ajo për “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtje pa leje e armëve dhe e municionit”.
Ndërkohë, kujtojmë që 19-vjeçari Erjon Xhenje u ekzekutua mbrëmjen e së dielës së kaluar në lagjen “Kiras”, teksa ishte duke pirë kafe në një lokal në zonën e njohur si ‘Rruga e Gjerë’. Personat që po lëviznin me motoçikletë qëlluan me breshëri plumbash duke e lënë të vdekur në vend. Rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen “Guerile” është gjetur duke u djegur motoçikleta së bashku pistoletën e përdorur nga autorët.
Më 2 shtator, u ekzekutua 57-vjeçari Ismet Çekorja, babai i Bajram Çekores, ky i fundit në kërkim për atentatin ndaj Alban Bruçit. 5 ditë para vrasjes, Ismet Cekorja dha një intervistë për mediat, ku mohoi faktin se djali i tij është i përfshirë në ngjarjen për të cilën akuzohet.



