
Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot qytetin e Vlorës.
Rreth orës 14:00, përballë tregut të Çoles, është sulmuar fizikisht Kozma Kukli, një punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit.
I moshuari 70-vjeçar ndodhet aktualisht në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Vlorës.

Sipas dëshmisë së viktimës, raporton korrespondentja e MCN nga Vlora, dy persona kanë ardhur me një furgon, kanë zbritur dhe e kanë goditur papritur, pa asnjë paralajmërim.
Banorët përreth kanë ndërhyrë menjëherë duke thirrur ambulancën dhe policinë. Kozma Kukli është dërguar me urgjencë në spital, ku mjekët bëjnë me dije se ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në syrin e djathtë, i cili rrezikon humbjen e shikimit.
Aktualisht, Policia e Vlorës nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare lidhur me ngjarjen, por zona ku ndodhi sulmi është e mbuluar nga kamera sigurie, që pritet të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.



