
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi se godina e re e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat do të përmirësojë kushtet e punës për efektivët dhe do t'u ofrojë qytetarëve një shërbim më cilësor, duke kontribuar edhe në rritjen e sigurisë në qark.
Gjatë prononcimit për mediat pas inaugurimit të ambienteve të reja, Hita theksoi se investimi synon të ndërthurë infrastrukturën moderne me profesionalizmin dhe etikën e punonjësve të Policisë së Shtetit, në funksion të forcimit të rendit dhe sigurisë, si për banorët ashtu edhe për turistët që vizitojnë Beratin.
I pyetur mbi vlerësimet që e rendisin Drejtorinë Vendore të Policisë Berat ndër më të mirat në vend për rendin dhe qetësinë publike, Hita u shpreh se Berati mbetet një nga qarqet me nivelin më të ulët të kriminalitetit, veçanërisht sa i përket krimeve të rënda. Sipas tij, ky rezultat nuk do të thotë se Policia do të ulë vigjilencën ndaj fenomeneve kriminale.
Kreu i Policisë bëri të ditur se gjatë takimit me drejtuesit vendorë u diskutua për intensifikimin e luftës kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kultivimit të bimëve narkotike. Ai theksoi se këto fenomene do të mbeten prioritet i punës së Policisë së Shtetit, me synim goditjen e veprimtarive kriminale dhe garantimin e një mjedisi sa më të sigurt për qytetarët.



