Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasit Gjergj Gjini, i akuzuar për plagosjen me armë zajrri të 43-vjeçarit Hilë Gjini. Ngjarja ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së martës, në fshatin Balldre të Lezhës.
Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërsa 69-vjeçari mësohet të jetë shprehur se ka patur konflikte të vazhdueshme me Hilë Gjinin, por i kishte zënë pritë për ta trembur. Qëllimi sipas 69-vjeçarit, nuk ishte ta qëllonte me armë fqinjin.
Ngjarja mendohet se ka ndodhur për motive pronësie, ku 43-vjeçari mbeti i plagosur në këmbë. Ndërkohë, dëshmitarët në vendin e ngjarjes janë shprehur se Hilë Gjini sapo kishte dalë nga shtëpia e tij për të dërguar fëmijët në shkollë, ndërsa është përballur me bashkëfshatarin e tij.
Gjatë gjithë kohës Hilë Gjini ka qëndruar në automjetin e tij me fëmijët dhe bashkëshorten deri sa ka mbërritur policia dhe autoambulanca. Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.



