
Policia e Tiranës ka njoftuar parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale në një familje në Kamëz.
Shërbimet e Sektorit të Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas njoftimit se një shtetas kishte dhunuar bashkëshorten e tij dhe e kishte kanosur atë, me armë zjarri, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. M., 40 vjeç, banues në Kamëz.

Gjatë kontrollit në banesën e 40-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit pistoletë me të cilën ai kanoste bashkëshorten e tij, dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



