
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Metodat”, duke vënë në pranga një nga personat më të kërkuar nga drejtësia italiane, Moisi Habilajn.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale, si dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, Habilaj u lokalizua në një lokal në Borsh, ku u bë kapja dhe arrestimi i tij provizor me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Moisi Habilaj, 48 vjeç, banues në Babicë të Vogël të Vlorës, është dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Policia bëri me dije se ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar më herët nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Shqipëri për veprat penale që lidhen me prodhimin, shitjen dhe trafikimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe një shtetas 46-vjeçar nga Saranda, ndërsa një shtetas italian, 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Policia e Shtetit ka publikuar gjithashtu pamjet nga momenti i arrestimit të Moisi Habilajt në Borsh.
Sipas Policisë, Habilaj është dënuar nga Gjykata e Katanias në Itali me 12 vjet, 2 muaj e 13 ditë burgim për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale të armatosur me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.
Po ashtu, ndaj tij u ekzekutua edhe masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me vendimin nr. 192, datë 26 dhjetor 2018, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë edhe shtetasi E.A., 46 vjeç, banues në Sarandë, ndërsa shtetasi italian S.F., 70 vjeç, u procedua në gjendje të lirë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



