
Shkon në 64 numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili furnizohej me shërbim kateringu nga kompania SORI-AL.
Pas 60 kursantëve të parë, katër studentë të tjerë janë paraqitur në spital me të njëjtat simptoma.
Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e plota të ngjarjes. Burime bëjnë me dije se procedimi për rastin e fundit pritet të bashkohet me dosjen e helmimit të ndodhur në fillim të muajit maj, duke u trajtuar si një hetim i vetëm.
Përveç kompanisë SORI-AL, e cila furnizon Akademinë e Sigurisë me ushqim, hetimet janë shtrirë edhe ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), për të verifikuar procedurat e kontrollit dhe përgjegjësitë institucionale.
Grupi hetimor është në pritje të rezultateve të analizave laboratorike të mostrave të ushqimit, të marra nga AKU, të cilat pritet të ndihmojnë në përcaktimin e shkakut të helmimit të 64 studentëve.



