
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë pasditen e djeshme tregun në lagjen 13 të Durrësit, në zonën e plazhit. Flakët shpërthyen papritur dhe u përhapën shpejt, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe tregtarëve.
Sipas raportimeve për "MCN Live", korrespondentja nga Durrësi, Ervina Garo, ka bërë të ditur se policia ka konstatuar se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike në njërin nga dyqanet industriale.
Pasditen e djeshme, Policia e Durrësit u njoftua për zjarrin që kishte shpërthyer në tregun sezonal, në lagjen nr. 13. Hetimet e para sugjerojnë se shkëndija elektrike ka shpërthyer në çatinë e një dyqani dhe, si pasojë e erës, zjarri është përhapur shpejt.
Për fat të mirë, nga incidenti pati vetëm dëme materiale.
Tregu sezonal është një kompleks i përbërë nga mbi 20 dyqane verore që ushtrojnë aktivitete të ndryshme.
Zjarri dyshohet të ketë shpërthyer nga shkëndija elektrike, pasi infrastruktura elektrike në këtë zonë nuk është e standardizuar dhe shumë prej dyqaneve kanë lidhje të përkohshme elektrike.
Hetimet për këtë rast janë ende në vazhdim. Dëmi financiar përfshin një shifër që llogaritet në miliona lekë. Policia e Durrësit ka nisur procedurat për të dokumentuar rrethanat dhe për të zbuluar përgjegjësitë për këtë incident.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive në lidhje me këtë rast.



