Finalizohet në Shkodër operacioni i koduar “Kutitë”, në kuadër të të cilit është goditur që në fazat fillestare një tentativë për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 2500 fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të mbjellë në kubikë, si dhe një furgon që dyshohet se është përdorur për transportimin e tyre.
Në pranga kanë rënë dy persona, të cilët dyshohet se po transportonin kubikët nga fshati Hajmel drejt Vaut të Dejës, me qëllim kultivimin e fidanëve.
Në kuadër të patrullimeve dhe punës informative e operacionale për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” konstatuan pranë fshatit Hajmel një furgon me ngarkesë të dyshimtë.
Automjeti u ndoq nga shërbimet e Policisë gjatë lëvizjes dhe u ndalua në Vaun e Dejës, ku iu nënshtrua kontrollit.
Gjatë kontrollit në furgon u gjetën disa kuti kartoni, brenda të cilave kishte kubikë me 2500 fidanë të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa.
Në përfundim të veprimeve procedurale, në kuadër të operacionit “Kutitë”, u arrestuan në flagrancë S. L., 23 vjeç, banues në Shkodër, dhe N. P., 29 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit.
Sipas Policisë, dy personat dyshohet se po transportonin fidanët me furgon, me qëllim kultivimin e tyre.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.



